Sport

Fejzullahi afër transferimit në Zvicër

Shkruar nga Faktoman

Arbnor Fejzullahu mund të jetë largimi i radhës nga skuadra e Partizanit.

Mbrojtësi i krahut të djathtë që ka bërë një sezon relativisht të mirë me të kuqtë mësohet se pëlqehet shumë nga ish-zv.trajneri i Kombëtares shqiptare, që aktualisht është ulur në stolin e ekipit zviceran të Sionit.

Tekniku është prezantuar dy ditë më parë në krye të skuadrës së re dhe pritet që në ditët në vijim t’i kërkojë klubit të nisë tratativat me Fejzullahun.

Burime të Panorama Sport pranë klubit kryeqytetas kanë bërë me dije se i gjithë operacioni mund të shkojë në 150 mijë euro, të cilat do të arkëtohen nga kryeqytetasit, që kanë në pronësi edhe kartonin e lojtarit.

Gjithsesi, për momentin nuk mund të thuhet asgjë zyrtare, pasi do të mbetet për t’u parë edhe ecuria e Partizanit në Europë, ku mund të kalojë në turin e dytë, pasi është favorit në ndeshjen ndaj bullgarëve të Botev Plovdiv.

Disa klube të huaja kanë shfaqur në të kaluarën dëshirën për të pasur Fejzullahun në përbërje, por transferimi nuk është bërë i mundur edhe për shkak të dëshirës së të kuqve për ta mbajtur atë në ekip. Megjithatë, vetë mbrojtësi 24-vjeçar që ka luajtur edhe me ekipet kombëtare, duket se ka dëshirë që të luajë jashtë vendit dhe nuk dëshiron ta humbasë këtë shans.

Dhe nga klubi kryeqytetas pritet që të mos e ndalojnë, por natyrisht duke përfituar edhe financiarisht nga shitja e tij.

Në rast se ky kalim realizohet, atëherë të kuqtë mund të gjejnë zgjidhjen për zëvendësimin e tij brenda grupit pa pasur nevojën të hyjnë në merkato, duke qenë se kanë disa futbollistë në mbrojtje që mund të përshtaten në krahun e djathtë.