Kuriozitete

Kjo është shuma që ka fituar Stacioni i Autobusëve nga pagesa prej 10 centëve

Shkruar nga Faktoman

Që nga muaji shtator i vitit të kaluar qytetarët për të udhëtuar nga stacioni i autobusëve duhet të paguajnë nga 10 cent në hyrje.

Deri më tani 270.584 persona kanë shfrytëzuar udhëtimin ndërurban. E, siç dihet, kryeqyteti ka numrin më të madh të udhëtarëve në nivel të vendit, andaj nga këto pagesa, stacioni i autobusëve në Prishtinë ka arritur të grumbullojë gjithsej 35.412 euro gjithsej.

Kështu ka thënë në një prononcim për Indeksonline, drejtori i stacionit të autobusëve, Ylber Çitaku.

Sipas tij, këto mjete janë përdorur për materialin shpenzues, një pjesë për paga, ndërkaq pjesa e mbetur gjendet në llogarinë bankare të Ndërmarrjes.

“Projekti ka filluar së implementuari në fund të shtatorit 2017, pra kanë përfunduar tre muaj dhe shuma e arritur është 35412€. Një pjesë e këtyre mjeteve shpenzohet për material shpenzues letër – rollne për printerë termal, mirëmbajtjen e tyre e një % e vogël edhe për paga të punëtorëve, kurse pjesa e mbetur gjendet në llogarinë bankare të Ndërmarrjes konkretisht në BPB”, tha Çitaku.

I pyetur se ku do të shkojnë këto para në 2018-ën, Çitaku ka thënë se menaxhmenti do bëj investimin e tyre sipas planifikimeve.

“Mjetet e mbetura sigurisht gjatë vitit 2018 Menaxhmenti do t’i investojë në projekte sipas planifikimeve në planin e biznesit”, shtoi Çitaku.

Sipas Çitakut, nëse të gjithë qytetarët do paguanin rreth 3 euro për çdo biletë autobusi, qarkullimi financiar i transportuesve të Stacionit të Prishtinës për vetëm 3 muaj do të ishte 811752 euro.

Nëse llogaritet i gjithë viti, atëherë shuma e grumbulluar do të ishte mbi 3 milion euro.

“Sipas sistemit tone digjital për këtë tremujorësh shërbime për udhëtim Ndërurban kanë kërkuar 270584 qytetarë, (e që sipas analizave tona janë vetëm rreth 40% e atyre që udhëtojnë). Nëse e marrim se mesatarja e çmimit të një bilete nuk do duhej të ishte më e ulët se sa 3€ kjo i bie që qarkullimi i transportuesve vetëm nga stacioni i Prishtinës është në shumën prej 811752€. Meqenëse këtu bahet fjalë vetëm për tre muajt e fundit të vitit kalendarik 2017, e sikur këtë ta shumëzojmë me 4 shifra e qarkullimit do të ishte 3.247008€ vetëm nga stacioni i Prishtinës”, deklaroi Çitaku.

Kujtojmë se vendimi i menaxhmentit për pagesën në sportele solli pakënaqësi tek shoferët dhe udhëtarët.

Si pasojë e kësaj, ka pasur edhe protesta dhe greva, ku autobusët nuk kanë hyrë fare në stacion.